SYRI TV/ Pedagogët vijojnë bojkotin: Kërkesat janë minimaliste

U zhvillua edhe ditën e sotme protesta kombëtare e pedagogëve.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovçai, bëri me dije se bojkoti do të vijojë në universitete. Në një deklaratë për mediat ai shprehet se kërkesat e profesoratit janë minimaliste.

“Jemi në fazën kur Ministria e Arsimit ka sjellë një përgjigje, një pjesë prej kërkesave mendojmë se do jenë të zgjidhshme sepse kanë qenë vetëm pengesa të neglizhencës dhe moszbatimit të ligjit, ndërsa problemi kryesor për rritjen e financimit për arsimin e lartë dhe ai për pagat, këto dy elemente nuk kanë marrë rrugën e zgjidhjes. Edhe rritja e pagës prej 8%, që mendon qeveria që mund të ezaurohet nga universitetet, deri tani vetëm një universitet ka dhënë përgjigje sa kanë mundësi, por vetëm për një vit.

Ne insistojmë me kërkesat tona, do vazhdojmë presionin që dhe parlamentin ta bindim për një ndryshim të projekt-buxhetit. Kjo javë mbyllet me bojkot, dimë që disa nga fakultetet janë shprehur se do mbledhin asambletë, u bëjmë thirrje dhe asambleve të tjera të mblidhen dhe të marrin një vendim sesi do shkojë. Sot e nesër vijon bojkoti, do marrim vendim ditën e premte për vijueshmërinë, por deri sa të marrin rrugë kërkesat tona, do vijojmë me bojkotin”, tha ai.