Brenda punishtes ku ‘gjenitë’ ukrainas po fitojnë kundër rusëve

Ushtarë të rregullt, rezervistë, mercenarë, armatime e dronë nga Irani. Rusia dominon ndaj Ukrainës thuajse në çdo aspekt të luftës që po zhvillon prej muajit shkurt të këtij viti. Por, në disa qyteza, si në Bakhmut, ushtarët ukrainas po ia dalin të zmbrapsin armiqtë, falë teknologjisë dhe mendjemprehtësisë.

Në Bakhmut, forcat ukrainase janë më të pakta në numër, kanë më pakë armë, por po ia dalin pasi po ‘punojnë me mend’. CNN arriti të futej në një punishte të fshehtë ku mendjemprehtësia po vendos ekuilibrat në fushën e betejës.

 ‘Na ka bërë shumë punë, sepse nuk kemi shumë forca, nuk kemi shumë armë, plumba e kështu me radhë. Kështu që duhet të tregohemi të zgjuar, ose do të vdesim’, thotë Starshina, nga brigada e 93-të e Ushtrisë së Ukrainës.

Gjërat aty funksionojnë si një ‘start-up’, çdo ide është e mirëpritur. Ushtarët punojnë ditë e natë për të përgatitur, modifikuar dhe armatosur dronët e zakonshëm që gjen në çdo dyqan elektronike. Skuadrën e drejton një ‘talent’ i ri, të njohur si ‘gjarpri’. ‘Është shumë më mirë të dish paraprakisht se po vijnë. Monitorojmë çdo centimetër këtu. Na ndihmon të shpëtojmë jetë gjatë sulmeve dhe tërheqjeve’, thotë ai.

Ushtria ukrainase thotë se rusët kanë 5 herë më shumë trupa në këtë zonë, sesa Kievi. Në një video të filmuar prej tyre shihen rusët sesi mësyjnë në terren të hapur, pa e vrarë mendjen jetët e tyre. ‘Ata janë shumë dhe kanë shumë armë. Kurse ne, çfarë nuk na shpik mendja’, thotw ‘Gjarpri’.

Skuadra ka gjithashtu ekspertin e armëve, një 19-vjeçar me nofkën ‘Varnak’, i cili shndërron granatat e dorës në bomba ajrore, në ‘fabrikën e tij të bombave’. ‘I rimodelojmë për t’u lëshuar nga droni’, tregon Varnak.

Por këtu nuk prodhohen vetëm dronë bombardues. Njësia ndërton edhe armë të kontrolluara me radio dhe mjete të vegjël kamikazë, të mbushur me lëndë shpërthyese. Gjithçka krijohet në fushën e betejës, për t’u përdorur në fushën e betejës. Për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës që të ndryshojë fatin e luftës këtu. ‘Ne mbrojmë pozicionet tona dhe tani po nisim kundërsulmin. Ia kemi dalë mbanë mirë deri tani’, tregon Starshina, nga brigada e 93-të e Ushtrisë së Ukrainës.

Ashtu si gjithë të tjerët që po mbrojnë Bakhmutin, edhe luftëtarët e teknologjisë shpesh punojnë deri në rraskapitje duke gjetur mënyra të reja për të ndalur avancimin rus, pavarësisht se nuk kanë armatime të rënda.