Vrau gruan me çekiç, Avni Meçja merret 5 orë në pyetje pas vetëdorëzimit. Ishte dënuar dhe për…

Mediat italiane kanë bërë me dije të tjera detaje në lidhje me krimin e rëndë ku një shqiptar vrau partneren e tij rumune. Fillimisht ata kanë pasur një sherr, i cili pasoi me një dhunë të tmerrshme, sipas hetuesve.

Avni Mecja gjatë marrjes në pyetje prej më shumë se 5 orësh pranoi se kishte vrarë me çekiç Alexandra Elena Mocanu, më saktë një çekiç i përdorur në ndërtim ku ai dhe punonte.

Alexandra Elena Mocanu do të mbërrinte në shtëpi të shtunën mbrëma. Në banesën ku ajo jetonte me shqiptarin në atë moment shpërthen një sherr i ashpër në fund të të cilit Avni Mecja do ta godiste të paktën dy herë me çekiç në kokë gruan duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Në orët e para të së dielës, 27-vjeçari ka dalë nga shtëpia me makinë për t’u nisur drejt Veronës ku ndodhen të afërmit e tij dhe më pas do të arrinte në aeroportin e Trevisos për të shkuar në Shqipëri.

Të dielën pasdite trupi i gruas u gjet i mbështjellë me një batanije. Zbulimi u bë pas një denoncimi nga familja e shqiptarit, të cilët ndoshta e kanë bindur edhe atë të kthehej në Itali pas disa orësh dhe të vetëdorëzohej.

Dy vjet më parë, Alexandra kishte denoncuar Avniun për keqtrajtim dhe ky i fundit ishte dënuar.

Më pas mes tyre ka pasur përmirësim të marrëdhënieve dhe vendosën për të jetuar sërish së bashku në Bolzano.

Policia tani është në kërkim të çekiçit që Avni Mecja tha se e hodhi në një kosh plehrash. Aktualisht 27-vjeçari ndodhet në paraburgim.