‘Shkelje e barazisë në tenderë’, akuza që rëndon mbi Sonila Qaton

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar këtë të mërkurë ish-drejtoreshës së ARRSH-së Sonila Qato akuzën për veprën penale “Shkelje e barazisë në tenderë”.

Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato u paraqit sot për herë të dytë në SPAK, teksa ishte e shoqëruar nga avokati i saj.

Më 3 tetor, ajo u thirr për herë të parë në SPAK, ku tha se ishte marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit si ish-drejtoreshë e ARRSH, lidhur me procedurat e ndërtimit të aksit Kardhiq-Delvinë.

“Është një procedurë që ka filluar tre vjet më parë me dorëheqjen time, në të cilën dhashë detaje nga rrethanat e çështjes në dijeninë time. Procedura e kallëzimit është për rrugën Kardhiq-Delvinë. Me sa u njoftova, po hetohet për shkelje të barazisë në tenderë”, tha ish-drejtoresha.

Ajo refuzoi të japë komente të mëtejshme, duke shtuar se shkaku i dorëheqjes së saj ishte për t’i dhënë mundësinë drejtësisë të bëjë detyrën e vet duke hetuar deri në fund këtë çështje.