Në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, operacion për kapjen e Ibrahim Licit! Dyshohet se fshihet në Turqi

Ibrahim Lici i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, në maj të vitit 2021, dyshohet se është fshehur në Turqi. Sipas burimeve nga policia, ka dyshime se Lici ndodhet në Turqi dhe policia e shtetit në bashkëpunim më autoritetet atje po punon për ta lokalizuar, por nuk është kapur.

Për vrasjen e Endri Mustafës, është dënuar me 10 vite burg 16-vjeçari Ergys Malja, i dënuar për akuzën e ‘Vrasjes me paramendim kryer ne bashkëpunim’. Për Maljan prokuroria kërkoi 12 vite burgim për shkak të moshës së tij të mitur.

Emri i Ibrahim Licit si autor dyshohet se doli nga dëshmia e Ergys Maljas para grupit hetimor, pasi pak ditë pasi u arrestua, ai akuzoi Ibrahim Licin si autor të vrasjes. Sipas të miturit, ai ishte nisur me viktimën drejt Livadheve, por përpara i kishte dalë Lici duke qëlluar direkt mbi Mustafën dhe duke u larguar më pas me motor.

Ibrahim Lici, është një person i njohur për policinë. Emri i tij lidhet me ngjarje të bujshme të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh. Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit. 

Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici, por vetëm në prill të vitit 2021, u hoq nga kërkimi për mungesë provash. Ai është djali i Mustafa Licit, ky i fundit i arrestuar më herët për gjobëvënie ndaj tregtarëve në qytetin e Shkodrës.