SPAK, Kraja: Ka presione! Peshqit e mëdhenj? Edhe sot keni njoftim...

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, në fjalën e tij për gazetarët, u shpreh se gara për kreun e SPAK është ende e hapur edhe pse Krajës i mbeten vetëm pak ditë në këtë detyrë.

I pyetur nëse mendon se ka plotësuar të gjitha qëllimet e detyrat, ai tha se është bërë puna më e mirë e mundshme dhe se ky institucion është i ri.

“Institucioni është i ri, është krijuar çdo gjë nga e para. Besoj që është bërë puna më e mirë e mundshme”, tha ai.

Ndërkohë i pyetur nëse pritet arrestimi i ndonjë të ashtuquajturi “peshk i madh”, Kraja u shpreh se puna vijon çdo ditë dhe përmendi rastin e sotëm të marrjes të pandehur të 10 ish-zyrtarëve të Qarkut të Lezhës, përfshirë edhe ish-kryetarin e Bashkisë.

"Prokurorët e SPAK punojnë përditë, edhe sot kishim një njoftim për dërgimin në gjykim për një çështje të rëndësishme, për shkelje me pronat publike," tha ai.

Kraja pranoi se ndaj prokurorëve të SPAK janë regjistruar raste presionesh, por se tha se atyre iu sigurohet mbrojtje siç e parashikon ligji.

“Prokurorë e gjyqtarë të SPAK kanë çështje të vështira për të trajtuar qoftë për personazhe të krimit të organizuar. Ka pasur presion, por kanë mbrojtje siç ia parashikon ligji”, tha ai.