Apeli liron italianin! 49-vjeçari përfitoi përmes mashtrimit mbi 700 mijë euro

Më shumë se një vit pas arrestimit, Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë të lirë një shtetas italian. Gabriele Tarroni Longinotti, 49 vjeç, u arrestua në muajin prill të vitit të shkuar në aeroportin e Rinasit, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzën e mashtrimit.

Në një vendim të publikuar një ditë më parë, teksa rrëzon vendimin e një shkalle më poshtë të gjyqësorit i marrë më 2 mars të këtij viti, Apeli thekson se vepra penale nuk është kryer në territorin shqiptar, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të burrit italian. “Çështja në Apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri G.T.L , i cili kërkoi deklarimin e mungesës së juridiksionit të gjykatave shqiptare ose deklarimin e pafajshëm, pasi nuk u arrit që të provohej fakti se ai ka kryer veprën penale për të cilën ai akuzohet”, thuhet në vendim, ndërsa 49-vjeçari ishte dënuar me 6 vite burg.

Arrestimi

Shtetasi italian, Gabriele Tarroni Longinotti, u prangos në Rinas më fillim të muajit prill të vitit të shkuar pasi ndaj tij ishte lëshuar masën e sigurisë “Arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës. Ai akuzohej për mashtrim ndërkombëtar ndaj kompanisë “BP” së cilës i ka vjedhur shumën prej 1 milion eurosh si dhe akuzohet falsifikim dokumentesh bankare. Krahas tij, nën hetim është vënë dhe shoqëria “GALA” me seli në Tiranë me administrator po Gabriele Tarroni Longinotti. “Nga specialistët për Hetimin e Krimit EkonomikoFinanciar u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për shtetasin italian në kërkim G. L., 49 vjeç, i kapur nga shërbimet e P. K. K. Rinas, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprën penale ‘Mashtrimi’”, sqaronte shkurt Policia në atë kohë.

Konflikti

Gabriele Longinotti përfundoi në telashe ligjore prej janarit të vitit 2020 kur së bashku me partnerin italian Alberto Presezzi, administrator dhe pronar i shoqërisë “Bruno Presozzi” me qendër në Itali (që merret me Import eksport në të mishit në të gjithë botën) krijuan një shoqëri me seli në Shqipëri me aksione të përbashkëta. Aktiviteti në fakt kishte si qëllim për të mbuluar transaksionet që nisnin në Mongoli dhe përmes Shqipërisë në Itali. Kallëzimi ndodhi për transfertat e parave dhe bëhej fjalë një konflikt interesi që solli përplasjen mes 2 biznesmenëve italianë. Ka qenë shoqëria italiane “Bruno Presezzi” me pronar Alberto Presezzin, e cila ka kallëzuar Gabriele Tarroni Longinotti, që e akuzon se s’i kishte kaluar një shumë prej 730.000 euro për llogari të një kontrate për blerje mishi në Mongoli që më pas do kalonte në Shqipëri.