SHBA: Google manipulon rezultatet e kërkimit kundër republikanëve

Google po manipulon rezultatet e kërkimit për të dëmtuar republikanët në SHBA.

Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga ‘Media Research Center’ në prag të zgjedhjeve të rëndësishme të mes-mandatit në SHBA.

MRC i ka bërë thirrje Google që të ndalojë ‘luftën ndaj demokracisë’ dhe të bëjë transparencë për algoritmet e saj.

Grupi i ekspertëve të MRC ka analizuar 12 gara zgjedhore të rëndësishme për Senatin amerikan.

Në përfundim, MRC thekson se faqet e 10 republikanëve në 12 gara, dalin ndjeshëm shumë poshtë në rezultatet kërkimore të Google në krahasim me faqet e kundërshtarëve të tyre.

Jo vetëm kaq, por faqet e shtatë kandidatëve republikanë zhdukeshin fare nga faqja e parë e kërkimeve të Google.

Teksa faqet e republikanëve zhdukeshin, faqet e rivalëve demokratë dalin të promovuara brenda gjashtë rezultateve të para të kërkimit në Google.

Google ka mohuar se ka bërë shkelje. Në një reagim për Fox News, ata thonë se ideologjia politike nuk është një faktor që ndikon te renditja në sistemin e kërkimit.

Megjithatë Google dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë janë akuzuar vazhdimisht se favorizojnë demokratët dhe të majtën.