Pedagogët: Vazhdon bojkoti, të mërkurën do mblidhemi në një forum

Pedagogët dhe studentët e mbyllën edhe këtë të hënë protestën e tyre kombëtare.

Sipas tyre, protesta do të vazhdojë me bojkotin ndaj vitit akademik edhe në ditët në vijim.

Ndërkohë, kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, tha se të mërkurën në orën 11:00 do të nisë një forum, ku do të diskutohet për të ardhmen e universitetit.

“Do marrin pjesë pedagogë, studentë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve, do diskutojmë dhe do dalim me një platformë që do e quajmë ‘Platforma universitare’,” tha Kovaçi.

Sipas tij, peticioni me kërkesat e paraqitura është diçka tjetër, që nuk do ketë lidhje me forumin.

Edhe njëherë, pedagogët kanë bërë thirrje që të merret në konsideratë letra e hapur që publikuan sot.