Gjykata e lartë gjermane nuk e pranon apelin e një vrasëseje, ekstremiste e djathtë

Berlin - Gjykata e lartë e Gjermanisë hodhi poshtë të hënën një apel nga e vetmja e mbijetuar e njohur e një grupi të ekstremit të djathtë, kundër dënimit të saj dhe dënimit të përjetshëm për rolin e saj në vrasjen e 10 personave, shumica me prejardhje emigrantësh.

Gjykata Kushtetuese Federale vendosi se Beate Zschaepe nuk kishte arritur të tregonte se ishin shkelur të drejtat e saj themelore gjyqësore.

Një gjykatë rajonale e Mynihut e shpalli Zschaepe, fajtore në vitin 2018 për 10 akuza për vrasje për rolin e saj në vrasjen e nëntë burrave nga grupi Nacional Socialist I Fshehtë – tetë me origjinë turke dhe një grek – si dhe të një oficereje policie në vitet midis 2000 dhe 2007.

Ajo u dënua gjithashtu për anëtarësim në një organizatë terroriste, pjesëmarrje në dy sulme me bomba dhe më shumë se një duzinë grabitje bankash, tentativë vrasjeje duke vënë zjarr në vendin e strehimit të grupit pasi ekzistenca e tij doli në dritë.

Megjithëse Zschaepe mohoi të ketë qenë e pranishme për ndonjë nga vrasjet, gjykata arriti në përfundimin se ajo ishte e përfshirë në planifikimin e secilës prej tyre.

Dy bashkëpunëtorët e saj, Uwe Mundlos dhe Uwe Boehnhardt, u gjetën të vdekur në një vrasje- në dukje vetëvrasje, ndodhur në vitin 2011 pas dështimit të një grabitjeje.

Ajo e dërgoi çështjen e saj në gjykatën kushtetuese pasi Gjykata Federale e Drejtësisë e Gjermanisë e refuzoi ankesën e saj vitin e kaluar.