Kryeministrja e re e Italisë, Giorgia Meloni, takohet në Romë me presidentin francez Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja e re italiane Giorgia Meloni zhvilluan bisedime në Romë të dielën në takimin e parë, megjithëse jozyrtar, mes dy liderëve politikë.

Macron, i cili aktualisht është në një vizitë zyrtare në Itali, shkroi në Tëitter se të dy vendet duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku "me dialog dhe ambicie".

Macron dhe Meloni diskutuan mbi çështjet aktuale evropiane, duke përfshirë nevojën për të dhënë përgjigje të shpejta dhe të përbashkëta për rritjen e çmimeve të energjisë, mbështetjen për Ukrainën dhe menaxhimin e flukseve të emigrantëve, tha zyra e Kryeministrit të Italisë në një deklaratë.

Para se të postonte një fotografi nga takimi i tij me Melonin, Macron postoi një foto të kryeministrit italian në largim Mario Draghi, duke shkruar thjesht "Faleminderit Mario".

Meloni, kryeministrja e parë grua e Italisë, e mori zyrtarisht detyrën nga Draghi si kreu i qeverisë më herët të dielën, pasi ajo dhe ekipi i saj i ri i kabinetit u betuan zyrtarisht të shtunën në Romë.

Drejtuesit e Komisionit Evropian në Bruksel i dërguan mesazhet e saj urimi të shtunën.

Macron, i cili të dielën mori pjesë në një konferencë në Romë që synonte të kërkonte mënyra për të promovuar paqen në botë, do të takohet të hënën me Papa Françeskun.