'Drejtësi për Learin'/ Nuk ndalen qytetarët, lajmërojnë protesta të tjera

“Drejtësi për Learin” nxori mbrëmë në protestë sërish qytetarët, të cilët kanë vendosur të ndalohen te Ministria e Brendshme dhe te Kryeministria me reagime dhe pankarta.

Protestuesit kanë qëndruar për rreth një orë ndërkohë që kanë bërë me dije se nuk do të ndalojnë derisa të hidhet dritë mbi shkaqet për të cilat ndërroi jetë 32-vjeçari Lear Kurti.

Duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm ata kanë hedhur akuza të forta kundër qeverisë dhe policisë së Shtetit, të cilët i akuzojnë si “vrasësit” e 32-vjeçarit. Ata hodhën miell dhe domate kundër policisë që kishte rrethuar dy objektet në të cilat është fokusuar protesta e qytetareve, ndërkohë që policia ka lejuar që një grup personash të hynte edhe brenda perimetrit dhe të ndiznin qirinjtë që mbanin në duar.

Po ashtu, shumë të rinj kanë akuzuar Policia, por edhe qeverinë, pasi sipas tyre qeveria është në dijeni të të gjitha veprimeve të kryera nga ana e institucioneve që duan të mbulojnë ngjarjen, të cilët vijojnë të jenë në dilemën e fortë të qëndrimit në vend apo jo.

Një pamje e trishtë e të riut që ndërroi jetë në mënyrë të mistershme mesnatën e të enjtes ka shoqëruar gjithë protestën e djeshme. Fotoja, e cila gjendet në rrjetet sociale që mbrëmjen e së shtunës e paraqet Lear Kurtin në një shtrat spitali, por nuk dihet se ku dhe nuk duket qartë nëse ka shenja jete. Ndonëse shihet që në dorën e majtë përveç prangave gjendet edhe një vigon që të lë përshtypjen që po merr një serum, në fakt pamjet ballore të fytyrës nuk lënë qartë të kuptohet nëse është në jetë apo jo. Protestuesit mbrëmë e kanë marrë këtë foto, duke e vënë në krye të marshimit-revoltë për të marshuar me imazhin e fundit të të riut që sot nuk është më mes nesh.

Në fakt, fotoja që udhëhoqi protestën mbrëmë në Tiranë ende nuk është qartësuar se çfarë spitali i përket. Edhe pse Policia ka bërë me dije se i ndjeri u dërgua me shenja jete në Spitalin e Traumës, ishin zërat zyrtarë të atij spitali që mohuan që Lear Kurti të kishte shkuar gjallë aty. Asnjë institucion nuk ka folur prej dy ditësh për atë pamje tragjike në të cilën shihet i riu, për të sqaruar nëse vërtet i shoqëruari i Policisë ka shkuar gjallë në spital apo jo. Megjithatë, Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po hetojnë në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që janë pezulluar edhe tre punonjësit e Policisë, të cilët e kanë ndjekur të riun deri në momentin e ndalimit.

Një i ri protestues te Ministria e Brendshme pas vdekjes së Lear Kurtit në duart e efektivëve të Policisë pak ditë më parë, tha se nuk ka siguri te Policia e Shtetit. Ai deklaroi se jemi në rrezik kombëtar, ndërsa shtoi se Policia e Shtetit është e mbushur me efektivë të inkriminuar dhe militantë të PS-së. I riu deklaroi se janë bërë një sërë vrasjesh shtetërore, duke përmendur Ardit Gjoklajn, Klodian Rashën, Lear Kurtin dhe vajzën e mitur Jonada Avdia nga një polic me skaf në Himarë këtë verë.

“Jemi në rrezik kombëtar. Një vazhdë vrasjesh, është vrarë Ardit Gjoklaj, Lear Kurti, Klodian Rasha, vajza në Himarë. Ndihem i kërcënuar si i ri, shumë shpejt mund të më vijë radha dhe mua. Mbulojnë krimin e policisë dhe vrasin për herë të dytë viktimën siç bënë me Klodian Rashën dhe të tjerët. Ndihem më i kërcënuar si kurrë. Vrasje shtetërore. Policët janë të inkriminuar, policë militantë që nuk ndjejnë asgjë për qytetarët por i vrasin në rrugë. Për këto ngjarje fatale mban përgjegjësi edhe kryeministri”, tha i riu.