Ukraina mohon pretendimet e Rusisë mbi bombat radioaktive

Ukraina ka reaguar mbi pretendimet e Rusisë se Kievi mund të përdorë një "bombë të pistë" - eksplozivë konvencionalë të mbushur me material radioaktiv, duke mohuar çdo pretendim.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se kjo do të thotë se vetë Rusia mund të përgatiste një sulm të këtij lloji.

Aleatët e Ukrainës gjithashtu hodhën poshtë pretendimet.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu foli rreth kësaj lloj bombe në një telefonatë me homologun e tij në Mbretërinë e Bashkuar Ben Wallace.

Ai tha se ishte "i shqetësuar për provokimet e mundshme nga Kievi që përfshijnë përdorimin e një bombe të tillë".

Të dielën, zoti Shoigu zhvilloi gjithashtu një sërë telefonatash me ministrat e mbrojtjes të SHBA-së, Francës dhe Turqisë, duke shprehur alarmin e Moskës. Ai nuk dha asnjë provë për të mbështetur akuzat e tij.

Duke iu përgjigjur kësaj, Presidenti Zelensky akuzoi Rusinë se është "burimi i gjithçkaje të pistë që mund të imagjinohet në këtë luftë".

Ai tha se Rusia po kërcënonte botën "me një katastrofë rrezatimi" në uzinën bërthamore të Zaporizhzhia të cilën e kishte kapur dhe foli gjithashtu për kërcënimet e Moskës për të shpërthyer një digë të madhe në Ukrainën jugore. Kremlini i ka mohuar akuzat.

Udhëheqësi ukrainas theksoi gjithashtu se "bota duhet të reagojë në mënyrën më të ashpër të mundshme".

Ministri britanik i Mbrojtjes u shpreh se pretendime të tilla "nuk duhet të përdoren si pretekst për përshkallëzim më të madh".

Komente të ngjashme u bënë nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, i cili foli me z. Shoigu të dielën,në telefonatën e dytë të atij lloji.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së thanë se qeveritë e tyre "të gjitha kundërshtojnë akuzat transparente të rreme të Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një bombë 'të pistë' në territorin e saj", duke theksuar se ata do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën përballë "luftës brutale të agresionit të Presidentit Putin".

Analistët ushtarakë vënë në dukje se akuzat ruse vijnë pas një sërë humbjesh të rënda ushtarake ruse, ndërsa trupat ukrainase vazhdojnë operacionet e tyre kundërsulmuese në lindje dhe jug të vendit.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA tha në një seri postimesh në Twitter se Shoigu "ka gjasa të kërkonte të ngadalësonte ose pezullonte ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe ndoshta të dobësonte aleancën e NATO-s në alarmet e bëra".