VIDEO që 'rrëzon' policinë/ Lear Kurti në gjendje kritike, u dërgua në komisariat dhe jo në spital

Vdekja tragjike e 32-vjeçarit, Lear Kurti, në duart e policisë, ka shkaktuar revoltë te qytetarët.

Sipas Policisë dhe ekspertizës mjeko-ligjore, ai ka ndërruar jetë për shkak se ka gëlltitur dy doza me kokainë nga frika e uniformave blu. 

Por, veprimet dhe mosveprimet e policisë, duket se kanë ndikuar në vdekjen e 32-vjeçarit.

Pamjet e publikuara mbrëmjen e kësaj të shtune tregojnë momentin kur tre efektivët shoqërojnë të riun, e kapur në trotuar.

Siç shihet dhe në video, Lear Kurti ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa ndjenja, teksa efektivët mundohen ta ngrejnë.

Në vend të lajmërojnë ambulancën, apo ta dërgonin menjëherë në spital ku mund të ishte shpëtuar, efektivët e kanë çuar të riun në komisariat.  

Spitali i Traumës ka konfirmuar se Lear Kurti ka shkuar i vdekur në spital, teksa kanë qenë efektivët që e kanë çuar me makinën e tyre, pas shoqërimit fillimisht në komisariat.

Policia dha disa versione kontradiktore fill pas ngjarjes, duke deklaruar se i riu ka humbur jetën në spital, çka rezultoi e pavërtetë. 

Video e publikuar ditën e sotme, hedh më shumë dritë mbi veprimet e efektivëve që kanë ndaluar Kurtin mbrëmjen e 19 tetorit në zonën e Laprakës.