SYRI TV/ Rama i jep 450 mijë euro për dy javë, Blair: Shërbim falas për 'Detin' në Hagë

Studio ligjore, “Omnia Strategy”, në pronësi të Sheri Blair, bashkëshorte e ish-kryeministrit britanik, Toni Blair, ka përfituar mbi 450 mijë euro nga qeveria shqiptare vetëm në dy javët e fundit të Shtatorit 2022.

Kompania britanike përfaqëson Shqipërinë në çështjet e Arbitrazhit përballë biznesmenit Italian, Francesko Beketi dhe një kompanie tjetër, po nga fqinji perëndimor, “Valeria Italia”.

Qeveria shqiptare është munduar të mbajë sekret raportet financiare me familjen Blair. Kryeministri Edi Rama e ka deklaruar veten shpesh si mik të Toni Blair.

Ky i fundit, pak javë më parë, deklaroi se kompania e tij “Toni Blair Institute for Change” do të përfaqësojë falas Shqipërinë në gjykimin e pritshëm në Hagë, përballë Greqisë, për çështjen e delimitimit të kufirit detar mes dy vendeve.

Por, ndërkohë që Toni Blair flet për shërbime falas, bashkëshortja e tij nuk është aq dorëlëshuar me shtetin shqiptar.

Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, Ministria e Financave ka kryer të paktën tre pagesa për “Omnia Strategy LLC” në periudhën nga data 16 deri në 29 Shtator të vitit 2022.

Totali i këtyre pagesave është 490 milionë lekë të vjetra ose rreth 450 mijë euro.Në dokumentat e Thesarit nuk jepen detaje për shërbimet e ofruara nga studio ligjore e Sheri Blair.

Gjithësesi, të dhënat publike nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Ndërkombëtar të Bankës Botërore, ICSID, e lidhin emrin e Shqipërisë me kompaninë e Sheri Blair në dy raste.

Studio “Omnia Strategy” ka marrë më herët në vitin 2015 edhe një pagesë prej 650 mijë euro për shërbimet ligjore në favor të qeverisë Rama në procesin ndërkombëtar kundër kompanisë “Rapiscan”.

Edhe në atë rast, pagesa u mësua nga një raportim i medias britanike, ndërkohë që qeveria shqiptare zgjodhi të fshihej pas sekretit tregtar.