Klopp flet për shkarkimin e Gerrard nga pankina e Aston Villa: Është i zhgënjyer, por nuk ka nevojë për t'u shqetësuar

Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp thotë se ka folur me kolegun e tij Steven Gerrard pasi u shkarkua nga pankina e Aston Villas dhe siç theksoi ai, nuk ka pse të shqetësohet për të dhe beson se do të gjejë sërish punë tjetër në të ardhmen.

Aston Villa pati një fillim të dobët të sezonit në Angli dhe në fund çmimin e pagoi menaxheri Gerrard, i cili u shkarkua të njëjtën mbrëmje pas humbjes 3-0 nga Fulham.

Klopp thotë se ka folur me kolegun dhe se ndjen se është i zhgënjyer për një arsye, duke ditur ambiciet e tij.

 “Ne folëm pas shkarkimit të tij, biseduam në telefon... Nuk mund të them asgjë për gjendjen e tij emocionale, por mendoj se është i zhgënjyer, duke pasur parasysh ambiciet e tij”, tha Klopp dhe vazhdoi:

"Por unë gjithashtu mendoj se nuk duhet të shqetësoheni për të, ai e kupton që gjëra të tilla ndodhin. Që kur ka mbaruar karrierën e tij si lojtar, Gerrard gjithmonë ka punuar".

Aston Villa aktualisht është në vendin e 17-të në Angli me nëntë pikë të fituara nga 11 ndeshje të luajtura dhe mediat angleze shkruajnë se menaxheri i ri i klubit mund të jetë Mauricio Pochettino.

Gerrard mbërriti në pankinën e këtij klubi në nëntor të vitit 2021 nga Rangers dhe sezonin e kaluar fitoi vendin e 14-të në tabelë me këtë skuadër.