VIDEO-SYRI TV/ Çudia në Vlorë, një rrugë mes shtyllave elektrike

Investimet ka kriter dhe abuzimet me fondet nuk njohin limite në vendin tonë. Në Vlorë është shënuar skandali i radhës ku miliona lekë janë hedhur dëm në rikonstruksionin e Lagjes Kume. Punimet u inspektuan nga kryeministri Edi Rama por duket se përfundimi i tyre ka prodhuar një rrugë në mes të shtyllave. Veç mungesës së standardeve, kjo rrugë është shndërruar tashmë edhe në rrezik për aksidentet rrugore.

Nga SYRI TV

Këto janë pamjet nga vizita e Edi Ramës në 29 prill në lagjen ‘Kume’ në Vlorë, ku inspektoi një investim të programit të ‘Rilindjes Urbane’, për rehabilitimin e rrugëve dhe kanalizimeve të kësaj lagjeje. Gjatë vizitës inspektimit të punimeve, Edi Rama nuk i kurseu kritikat për zbatuesit e projektit, në lidhje me trotuaret dhe bordurat e këmbësorëve.

Por pak muaj më pas, teksa punimet janë drejt fundit, SYRI TV kreu një vëzhgim në Lagjen ‘Kume’, ku janë investuar shuma të mëdha parash për asfalt. Nga ajo që shihet qartë, duket se firma që ka zbatuar këtë projekt, jo vetëm nuk ka dëgjuar asnjë nga kritikat e kryeministrit për trotuaret, por ka shkuar më tej, duke ndërtuar një rrugë në mes të shtyllave të tensionit të lartë.

Këto pamje tregojnë dhe konstatojnë lehtësisht, se rruga është ndërtuar jashtë standardeve, ku asfalti është hedhur në mes të shtyllave të betonit, ndërsa këto të fundit, janë kërcënim real për tu bërë shkak i aksidenteve rrugore.

Është e pashpjegueshme se si një kompani, që është paguar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka hedhur asfalt në mes të shtyllave të betonit, duke i kthyer këto të fundit në kurthe për drejtuesit e automjeteve dhe banorëve të zonës.

Syri televizion kontaktoi drejtuesin e OSHE në Vlorë, Avjer Hoxhaj, i cili u shpreh se është përgjegjësi i kompanisë zbatuese të projektit, që të kërkojë nga OSHE heqjen e shtyllave të tensionit. Por sipas kreut të OSHE, një kërkesë e tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, kur kryeministri Edi Rama ishte në ngjitje të karrierës së tij politike, për një gjë të ngjashme, jepte dhe të tilla shfaqje..