A e dini sa gola duhet të shënojë Haaland në sezon për të arritur Ronaldon?

Fundjavën e kaluar, Cristiano Ronaldo arriti shifrën e 700 golave në karrierën e tij për klubet, një arritje e pamundur për 99.99 përqind të futbollistëve që kanë luajtur ose luajnë futboll.

Më saktësisht, askush para Ronaldos nuk e ka arritur këtë numër dhe me siguri që gjatë këtij sezoni Messi do të bëhet lojtari i dytë me 700 gola për klubet.

Messi aktualisht ka 691 gola për Barcelonën dhe PSG-në, dhe më shumë se 600 gola për klubet janë shënuar vetëm nga Romario (691), Josef Bican (688), Pele (679), Ferenc Puskas (645) dhe Jimmy Jones (635).

Dhe duket se Erling Haaland është në rrugë të mbarë drejt numrit të 700 golave ​​në futboll për klube.

Norvegjezi shënoi gjithsej 135 gola me fanellat e Molde (20), Salzburg (29) dhe Borussia Dortmund (86), ndërsa këtë sezon ka shënuar 20 gola për Cityn.

Ronaldo do të jetë 38 vjeç në fund të këtij sezoni dhe nëse supozojmë se Haaland do të luajë deri në moshën 38-vjeçare, arrijmë në një shifër vërtet magjepsëse.

Kjo do të thotë që 22-vjeçari Haaland do të luajë edhe 16 sezone të tjera dhe matematika është e qartë - për të arritur shifrën e 700 golave, atij i duhen 545 gola të tjerë, domethënë do të duhet të shënojë 35 gola në sezon që për momentin duket më se e arritshme.

Ronaldo, për shembull, e kapërceu atë kufi në 11 sezone dhe shënoi më shumë se 40 gola nëntë herë.

Nëse norvegjezin e ndihmon shëndeti, edhe shifra prej 800 golave ​​është e arritshme – për këtë atij i duhen 42 gola në sezon.