‘Meqë nuk po gjeni Geronin, qëlloni nipat’/ Dëshmia e vëllezërve Beqiraj

Pas arrestimeve të bujshme në Durrës dhe Tiranë është zbardhur edhe dëshmia e vëllezërve Beqiraj para policisë. Mësohet se vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj kanë kërkuar statusin e të penduarit duke zbardhur të gjitha krimet e grupit të strukturuar kriminal ku ata bënin pjesë.

Mësohet se ata kishin marrë porosi për të paktën katër vrasje në Tiranë dhe Durrës. Vrasja e parë ishte ajo e një personi dhe dy nipërve të tij në Tiranë, por gabimisht në atë atentat u vra Erjon Çela.

Sa i përket vrasjes së Çelës, sipas dëshmisë së vëllezërve Beqiraj, objektiv ishte Geron Hasanbelliu, armiku i betuar i Kasandër Nogës.

Vëllezërit tregojnë se ata u tërhoqën dy ditë para Vitit të Ri sepse objektivi ishte shumë i vështirë për ta. 6 ditë më vonë, Kevin Zeneli vendosi ta kryente vetë vrasjen me mjetet që ata kishin siguruar.

"Ilirjan Feçi na premtoi 100 mijë euro për të ekzekutuar Geron Hasanbelliut. Ilirjani dhe Kevin Zeneli e kishin ndjekur 2-3 herë por nuk kishin mundur ta ekzekutonin"

“Me vëllanë, Gentianin kemi ndjekur Geronin, Feçi kërkonte me insistim ta vrisnim. Geroni erdhi një mëngjes në Don Bosko dhe më pas nuk erdhi më, dyshoj se na shitit Feçi. Kevin Zeneli na gënjente për vëzhgimin e dy nipave të Geronit në kioskën e tyre ‘Astir’. I thashë Feçit se nuk vras të martën se e kam ters, do e vrisja Geronin të mërkurën. Hoqa dorë nga vrasja pasi Kevin Zeneli më gënjente, kisha frikë se më shiste”, ka deklaruar Indrit Beqiraj.

“Gjatë kësaj jave nuk e pamë Geronin fare, por pamë nipat e tij që na vinin para mbrapa. Të gjendur në këtë situatë, Kevi komunikoi me aplikacionin ‘signal’ me shtetasin Kasandër Noga që ishte jashtë vendit dhe që në telefon Kevini e kishte vendosur me emrin ‘fratello’. Na thoshte që ai ishte në Spanjë dhe ky ishte personi qe paguante para për kryerjen e kësaj pune. Na thoshte që meqë nuk po gjeni Geronin, qëlloni nipat e tij.

Kemi ndjekur nipat ku për secilin, nga Kasandri do të paguhej shuma 50 000 euro. I ruajtëm për 2-3 ditë nipat ku kemi ardhur në Tiranë me makina me qira së bashku me vëllanë, pra në datën 27/01/2022 kam ardhur në Tiranë dhe ndiqnim nipat te tabakino dhe Kevini kishte marrë përsipër detyrën të na informonte për lëvizjet e nipave.

Disa here Kevini thoshte është vetëm, por kur kam kaluar me makinë me vëllanë kam parë që ata ishin 4-5 persona dhe rrinin jashtë. Gjatë këtyre ditëve njëherë, kur ishim te Fusha e Aviacionit dhe prisnim sinjalin nga Kevi kemi parë që tek zona tabakinos kalojnë dy furgona të FNSH,” thuhet në dëshmi.