Presion SPAK-ut për djegësit? Meta: Po e ndihmojmë të dalë nga kapja e Ramës

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha në Oranews se SPAK nuk po heton aferat e qeverisë Rama, konkretisht kryeaferën e incineratorëve.

I pyetur nëse ky është një presion që po ushtrojnë ndaj drejtësisë, Meta thotë se opozita po e ndihmon të dalë nga kapja e Edi Ramës.

Meta: Ata mund të qëndrojnë në hetim dhe 100 vite. Këtu për 100 vite këtu bëhen edhe 10 afera të tilla. Duhet drejtësi që vepron në kohë kur kemi të bëjmë me fakte. Nëse drejtësia vonon, mungon, këta marrin kurajo për të bërë afera të tjera në dëm të popullit shqiptar. 26 vende ka humbur Shqipëria në 6 vite. Njerëzit që kanë pushtet, firmosin për tendera, koncesione, licenca, prona publike, nuk kanë frikë nga drejtësia e re se e ndjejnë që e kanë atë në kontroll. Nuk po them se kanë qenë gjërat perfekte por flasim për ti përmirësuar.

Ne nuk i bëjmë presion drejtësisë, e kemi ndihmuar. Është presion ti çosh letrat? Presion është të bësh një deklaratë politike por jo ti çosh letra përditë, fakte, shkresa, dokumente. A e kanë kontratën e incineratorit, kur duhet të ishte bërë, me lekët e kujt? Është bërë, nuk është bërë, pse jepet ky shërbim? Unë nuk kam ndonjë instrument për ti bërë presion, përveç komunikimit me publikun. Ai (Edi Rama) ka gjithë shtetin. Kontrollon gjithë procesin e vettingut, i merr gjyqtarët kur nuk i pëlqejnë.

Gjithë prokurorët e SPAK kanë kaluar vettingun dhe vettingun e ka kontrolluar Edi Rama, e dimë të gjithë. Prokurori i Përgjithshëm u zgjodh me 69 vota, në mënyrë antikushtetuese kur Kushtetuta thoshte me 84. Prokurori u përdor për të krijuar KLP, KLP zgjodhi SPAK dhe gjithë hetuesinë. Ai thotë SPAK është krijesa jonë. Me çmenduri, procedura, mashtrime kanë kapur sistemin e drejtësiësë. Kjo nuk do të thotë që ne të mos i ndihmojmë ata që duan të bëjnë punën e tyre që të dalin nga kjo kapje, por ky nuk është presion.