Berisha: Vjedhje dhe vetëm vjedhje! Veliaj ndërton shkolla me 5 mln €, BE-ja me 620 mijë €

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi në një takim të organizuar me banorët e Shijakut se qeveria ka rritur borxhin ndërsa theksoi se qeveritarët vetëm vjedhin.

Sali Berisha u ndal tek ndërtimi i shkollave për të cilat tha se BE-ja i ndërton me 620 mijë euro ndërsa Erion Veliaj i ndërton me 5 milionë euro.

“Sa u rrit borxhi gjatë periudhës 2005-2013. Borxhi u rrit me 320 miliardë lekë, dhe të ardhurat me 500 miliardë lekë. Në total, me borxh dhe të ardhura këta kishin 900 miliardë dhe ne kishim në total 830 miliardë. Por pse nuk ndodh kjo? Sepse këta i vjedhin, i vjedhin dhe vetëm i vjedhin.

Sepse këta ndërtojnë një kilometër rrugë me çmim absolutisht, 4-6-8 dhe ka raste edhe 13 herë më të shtrenjtë se sa është kostoja e ndërtimit. Këta ndërtojnë 1 km autostadë në fushë me 22 milionë euro. Në të gjithë Europën, në fushë 1 kilometër autostradë nuk ndërtohet kurrë më shumë se 3 milionë euro. Ndërtimi ka manuale, që përcakton me saktësi çdo çmim që përdoret. Një manual është i BE-së dhe njëri i SHBA-së. Ata kodifikojnë çmimet. Por përjashtim absolut bën Edi Rama me administratën e tij.

Ndërtojnë shkolla. Çfarë ndodh sot në Tiranë? Në Tiranë ndërtohen nga donatorët, të cilët i kanë besuar paratë UNDP-së, që i administron. Ajo ndërton një shkollë me 620 mijë euro. Me 620 mijë euro ndërtohen shkollat në të gjithë territorin e BE-së.

Erion Veliaj ndërton shkolla me 4-5 apo 3 milionë euro. Kjo është e vërtetë. Shkolla ‘Sami Frashëri’, 5.2 milionë euro. Shkolla ‘Bashkim Fino’ 4.2 mln euro. Pra çfarë bëhet. Të gjitha këto me paratë e qytetarëve, duke vjedhur.”-tha Berisha.