Atentati me snajper/ ‘Kujtohet’ policia: Nuk kishte persona në makinë

Policia e Shtetit ka reaguar më në fund për atentatin në Durrës ndaj Akil Nerjakut. 

Ndaj këtij të fundit mendohet se u qëllua me snajper nga një mjet tjetër.

Oas një heshtje të gjatë prej 24 orësh, Policia e Durrësit thotë se ka identifikuar autorin dhe është në kërkim të tij.

Teksa burime nga Prokuroria e Durrësit, deklaruan se shënjestra e atentatit ishte Akil Nerjaku, i cili u qëllua teksa lëvizte me një automjet tip “Benz” të blinduar dhe në pronësi të shtetasit me iniciale H.K., policia, e cila duhet të kishte informuar që ditën e djeshme, njoftoi sot se automjeti është në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut dhe se ishte i parkuar.

NJOFTIMI ZYRTAR

Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar.

Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.

Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë  pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.