VIDEO-SYRI TV/ Diplomati amerikan: SHBA gabon me vendime të nxituara

Ish-Ndihmës Sekretari Amerikan për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Robert Xhozef, tha gjatë emisionit ‘Çim Peka Live’ se pas sulmeve kibernetike në Shqipëri qëndron Teherani. Ambasadori Xhozef e konsideroi Iranin si sponsorizues të terrorizmit në rang global. Ai pranoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin gabuar kur e kishin shpallur MEK-un si organizatë terroriste.

Sa e rrezikuar është Shqipëria nga Irani dhe a po përfiton Edi Rama mbështetje nga amerikanët në këmbim të strehimit në Shqipëri të opozitës iraniane të MEK?

Kjo ishte tema e emisionit ‘Çim Peka Live’ mbrëmjen e së hënës ku i ftuar në një intervistë ekskluzive nga Uashingtoni ishte ambasadori Robert Xhozef, ish-Nënsekretar Shteti për Kontrollin e Armëve dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ambasadori Xhozef tha se Irani prej 40 vjetësh është kthyer në sponsorizues të terrorizmit global, teksa dha shembuj të rolit të Teheranit në sulme të tilla ne Europë. Duke folur për sulmet kibernetike në Shqipëri, ambasadori Xhozef fajësoi drejtpërsëdrejti Teheranin.

Ambasadori Xhozef pranoi se Shtetet e Bashkuara kishin gabuar kur më herët e kishin shpallur MEK-un organizatë terroriste.

"Këndvështrimi im është se ka qenë gabim që MEK të listohej si organizatë terroriste. U bë në mënyrë të përshpejtuar dhe u bë për të qetësuar regjimin, që regjimi të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me SHBA-të dhe Perëndimin për çështjet rajonale dhe bërthamore. Format për të qetësuar një pushtet kanë dështuar dhe në këtë rast kur dështuan MEK doli nga lista e organizatave terorriste. Kjo u bë me vendimet e gjykatës dhe Kongresit. MEK ka mbështetës të fuqishëm. Terrorizmi nuk mund të justifikohet," tha ai.