Ukraina po u jep përgjigje të qarta pyetjeve më thelbësore të luftës

Nga Jeremy Bowen, BBC

Ukrainasit besojnë se u janë përgjigjur pyetjeve më të rëndësishme.

A mund të thyejnë ngërçin dhe të rimarrin territorin? Po.

A mund të përdorin armët perëndimore në mënyrë efektive? Po

Rezultati është fitorja e tyre më e rëndësishme që nga fitorja e betejës për Kievin në mars.

Kjo ka rëndësi sepse pa prova se ata mund të fitojnë, ekzistonte frika se kostot ekonomike të mbështetjes së Ukrainës dhe kundërshtimit të Rusisë mund të ishin të tepërta për disa nga aleatët e tyre të NATO-s, veçanërisht gjatë një dimri të gjatë dhe të vështirë.

Sa për rusët, ky ishte një shpartallim. Jo një tërheqje ushtarake apo një rishpërndarje. Inteligjenca ushtarake dështoi dhe ushtarët me moral katastrofikisht të dobët braktisën armatimet në sasi të mëdha.

Ukrainasit e dinë se për çfarë po luftojnë- nuk është e qartë nëse rusët e dinë.

Por nëse përballet me disfatën, presidenti Putin nuk është nga ai lloj lideri që do të thotë: kemi bërë një gabim. Le të shkojmë në shtëpi.

Makthi vjen nga kërcënimet e tij për të përdorur armët bërthamore. Do të ishte marrëzi të mos i merrnim seriozisht këto kërcënime.