KFOR-i amerikan, mesazh për qytetarët e Kosovës me video

Trupat e NATO-s në kuadër të KFOR-it në Kosovë, kohëve të fundit nëpërmjet videove janë duke dhënë porosi dhe rikujtuar se janë në Kosovë, për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

Një video e tillë është shpërndarë në faqen zyrtare të KFOR-it në Facebook. Aty shihet komandanti i KFOR-it për rajonin në lindje, kolonel Christopher Samulski, njofton RTK.

Nga veriu i vendit, ai ka dhënë një mesazh për qytetarët e Kosovës.

“Mandati ynë është t’u sigurojmë njerëzve në Kosovë një mjedis të sigurt, pavarësisht nga përkatësia etnike, feja, apo vendi ku ata jetojnë”, deklaron komandanti amerikan. “Prandaj, ne patrullojmë të gjitha zonat dhe qëndrojmë pranë komunitetit.” Në video janë publikuar pjesë nga zona të ndryshme të vendit.