Oferta e trafikantëve: Merrni pjesë në funeralin e Mbretëreshës

Grupet e trafikut të shqiptarëve raportohet se po përdorin funeralin e Mbretëreshës si një mënyrë për të bërë oferta me ulje çmimi për ata që duan të kalojnë Kanalin Anglez.

Kështu shkruan gazeta britanike Express.

Sipas saj, ata po përdorin median sociale, kryesisht rrjetin TikTok, për të promovuar ofertat me një çmim prej 1600 sterlinash për një person që “kërkon të marrë pjesë në funeralin e kësaj zonjës”.

Në reklamë u bëhet thirrje njerëzve që të përdorin ofertën përpara se të mbahet funerali shtetëror të hënën.

Çmimi prej 1600 sterlinash është oferta e fundit e verës, pasi më herët ky çmim varionte nga 3000 deri në 5000 sterlina.

Oferta synon kryesisht shqiptarët, që përbëjnë 60 përqind të personave që kanë kaluar Kanalin Anglez këtë verë.

Grupet kriminale po ofrojnë edhe ofertën ‘fëmijët falas’ me qëllim që të inkurajojnë familjet që të kalojnë kanalin.