Sulmet kibernetike/ Ilda Zhulali: Nuk është vetëm Irani, por edhe Rusia

Ekspertja e integrimit dhe çështjeve të rajonit, Ilda Zhulali thotë se Irani nuk është i vetmi që mund të jetë përgjegjës për sulmin kibernetik në Shqipëri, por edhe Rusia.

Në Çim Peka Live, në Syri Tv, Zhulali tha se qeveria duhet të kishte kuptuar që vitin e kaluar se diçka nuk shkonte me sistemet e saj online, kur u publikua lista e patronazhistëve.

Sipas saj, sulmi kibernetik ishte i pritshëm. 

"Irani nuk është i vetmi keqbërës, por edhe Rusia. Sulme hibride mund të vijnë edhe nga Rusia". 

“Sulmi na gjeti përpara faktit të kryer që me rrjedhjen e të dhënave në zgjedhjet e 2021. Nuk prisja që kryeministri të bënte gjë tjetër veç asaj që bëri duke i marrë në mbrojtje, sepse ai është autori i asaj database, por institucionet, komisioneri për mbrojtjen e të dhënave nuk tha asnjë fjalë. Ankesave të qytetarëve u përgjigjej kini kujdes kujt ia jepni të dhënat herë tjetër. Ose prokuroria që në vend që të hetonte nga kishin rrjedhur të dhënat, shkoi dhe mori masë ndaj një media. Patëm rrjedhjen e të dhënave të pagave, të targave. Qeveria duhet të kishte kuptuar që diçka nuk shkonte. Në vend që të merrte masat, në datën 1 maj qeveria tha se të gjitha shërbimet do të dilnin online. Nuk ka një skuadër të mirë trajnuar që janë përgjegjës për sigurinë”, u shpreh Zhulali.