34 fjalë me fuqi shpërthyese

Nga Soeren Haberlandt, BILD

Pasi dy politikanë vendorë nga dy këshillat bashkiakë në qytetet Shën Petersburg dhe Moskë, kërkuan që diktatori i Kremlinit, Vladimir Putin të rrëzohet, shteti ndërmori veprime të plota kundër kritikëve të Putinit: Në Shën Petersburg nisën paditë për ‘diskreditim të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse’. Ligji parashikon gjoba drakoniane.

Qëllimi është parandalimi. Censura e opinioneve që nuk i shkojnë për shtat Kremlinit. Vetëm se kjo mesa duket nuk po i frenon kritikët, madje po nxit protesta kundër diktaturës. Kazani po zien në perandorinë e Putinit!

“Duam dorëheqjen e Vladimir Putinit,” kërkojnë tani 18 politikanë vendas nga rreth 18 distrikte të metropoleve ruse të Shën Petersburgut dhe Moskës.

Të gjithë ata nënshkruan një deklaratë publikë, e cila u raportua fillimisht nga portali rus i lajmeve ‘Insider’.

Arsyeja: “Ne, deputetët vendorë të Rusisë, besojmë se veprimet e presidentit Vladimir Putin dëmtojnë të ardhmen e Rusisë dhe qytetarëve të saj. Ne kërkojmë dorëheqjen e Vladimir Putinit nga posti i presidentit të Federatës Ruse!”

34 fjalë- jo më shumë. Bashkëngjitur janë emrat e nënshkruesve. E shkurtër, por me fuqi shpërthyese politike.

Në një bisedë me ‘Insider’, Ksenia Torstrem, një nënshkruese nga distrikti Semyonovsky në Shën Petersburg, tha se ata donin të mbështesnin politikanët nga Smolninskoje, që janë thirrur nga policia dhe tani përballen me akuza.

Nuk është një shenjë e mirë për Kremlinin: veprimi drakonian i ndërmarrë nga regjimi i Putinit kundër kritikëve nuk duket se po i pengon politikanët, por përkundrazi po i motivon ata të shprehin mendimet e tyre.

Torstrem thekson gjithashtu se sa e vështirë është aktualisht që të bësh një deklaratë kritike në Rusinë e Putinit. “Për shkak të represionit është e vështirë të shprehesh publikisht”. Kjo është arsyeja pse ata shkruan këtë tekst të shkurtër.

Në tekstin prej 24 fjalësh, nënshkruesit nuk japin asnjë motiv për kërkesën e tyre. Fjalët ‘luftë’ ose ‘operacion special’ nuk shfaqen- kjo ndoshta do t’i bënte ata ligjërisht të cenueshëm.

Sepse: “Deputetët nuk e kanë ende të ndaluar që të japin mendime. Dhe nuk është e ndaluar që të bëhet fushatë për dorëheqjen e presidentit. Ai nuk është një monark, por një punonjës i paguar nga taksat tona. Detyra jonë është të përfaqësojmë interesat e popullit kur shohim se populli nuk është i kënaqur. Dhe populli, sipas Kushtetutës, është burimi i pushtetit”.

Përparimet rajonale nuk duhet të kenë ndonjë pasojë, ato nuk janë shumë të rëndësishme në diktaturën e Putinit. Por është për t’u habitur që gjithmonë e më shumë politikanë po i bashkohen kërkesës.