FOTO/ Shkodra, qyteti i parë që planifikon parkimet

Shkodra po bëhet i pari qytet në Shqipëri me Plan të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane, i hartuar mbi bazë të plotë të dhënash të marra direkt nga terreni sipas metodologjisë dhe standardeve europiane.

Plani i Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane të Bashkisë Shkodër po hartohet  në kuadër të Projektit TEUTA të mbështetur nga fondet e BE.

Më 31 mars, që prej orës 06:00 të mëngjesit e deri në orën 20:00 të mbrëmjes, 35 vëzhgues, studentë të Fakultetit Ekonomik dhe përfaqësues të Organizatës GO2 nisën matjet në terren për parkimet e qytetit të Shkodrës: Në ditën e parë po vëzhgohen parkimet në rrugët "Zogu I", "Bujar Bishanaku", "Qemal Draçini" dhe "Studenti".

Më datë 1 Prill 2017, më shumë se 43 vëzhgues u zhvendosen në rrugët "Skënderbeu", "Mehmet Pashë Plaku", "Daut Boriçi", "Edith Durham", "Wilson", dhe "Teuta". Ata regjistruan targat dhe tipat e automjeteve të parkuara në parkimet e rrugëve të mësipërme, kohën e qëndrimit të automjeteve në parkim dhe sipërfaqen që zë secili automjet. Targat dhe tipet e automjeteve të regjistruara nuk do të publikohen! Regjistrimi i targave dhe i tipit të automjeteve bëhet për qëllime studimore. Ai nevojitet për të përllogaritur sa kohë qëndron një automjet i parkuar dhe sa shpesh ndërrohen automjetet në këto parkime çdo 15 minuta, brenda 14 orëve të këtij vëzhgimi.

Kjo metodologji shkencore e standardeve bashkëkohore europiane realizohet me konsulencën e ekspertëve të huaj të kontraktuar nga Organizata GO2 për hartimin e e Planit të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane (PLQU - SUMP) të Bashkisë Shkodër.