Bundesliga/ Bayerni 'harron' të fitojë në kampionat, Dortmund e pëson thellë

Janë mbyllur 5 ndeshjet e Bundesligës dhe bie në sy forma jo e mirë e Bayern Munich.

Bayerni ngeci në shifrat 2-2 ndaj Stuttgartit dhe për të tretën ndeshje radhazi nuk shkon dot përtej barazimit, duke mbetur në kuotën e 12 pikëve dhe shpërdoruar një mundësi të mirë për të nisur shkëputjen.

Trajneri Nagelsmann kishte lënë pushim disa prej titullarëve dhe i dha mundësinë e debutimit nga minuta e parë, sulmuesit 17-vjeçar Mathys Tel, i cili nuk zhgënjeu, pasi në minutën e 36’ shënoi golin e tij të parë në Bundesligë, duke i dhënë avantazhin Bayernit.

Stuttgart barazoi me Fuhrich në pjesën e dytë, por vetëm tre minuta më vonë, Musiala shënoi një gol mjaft të bukur, duke rikthyer në avantazh bavarezët. Megjithatë kur dukej se Bayerni do të rikthehej te fitorja, arbitri akordoi një penallti me VAR, pas një ndërhyrjeje të pakujdesshme të De Ligt në zonë dhe Guirassy shënoi golin e barazimit për Stuttgartin.

Me tre barazime radhazi, Bayerni mban përkohësisht kreun me 12 pikë, aq sa kanë edhe Dortmund, Hoffenhaim e Freiburg, por me këta të fundit që kanë luajtur një ndeshje më pak.

Leipzig reagon pas ndryshimit të trajnerit dhe triumfon me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Borussias së Dortmundit. Trajneri Rose debutoi pikërisht përballë të shkuarës së tij dhe ia doli të dhurojë një “hakmarrje’ për shkarkimin e sezonit të kaluar.

Hungarezët Orban dhe Szoboszlai shënuan në pjesën e parë për Leipzig, ndërsa më pas mendoi Haidara për të vulosur suksesin e dytë sezonal të Leipzig, që me trajnerin Rose në pankinë synon rikthimin në pjesën e kreut të tabelës.

Në sfidat e tjera, Hoffenhaim triumfoi me rezultatin 4-1 ndaj Mainz, Wolfsburgu mori tre pikë të vlefshme falë suksesit 0-1 në transfertën ndaj Eintrachtit të Frankfurtit, ndërsa Bayer Leverkusen nuk shkoi përtej barazimit 2-2 ndaj Herthës në Berlin