Egnatia mposht Vllazninë në Rrogozhinë, Kastrioti dhe Tirana ndahen në ‘paqe’

Tirana kampione në fuqi, që pas humbjes ndaj Vllaznisë në kryeqytet, nuk shkon dot përtej barazimit pa gola ndaj Kastriotit në Kamëz, në një ndeshje me ritëm të ulët dhe pak mundësi shënimi, teksa krutanët goditën edhe një traversë në të 80-ën.

Edhe bardheblutë konfirmojnë në këto katër javët e para se janë larg formës së vitit të kaluar, pasi kanë grumbulluar vetëm 5 pikë, falë një fitoreje, dy barazimesh dhe një humbjeje, ndërsa të njëjtën kuotë pikësh ka edhe Kastrioti.

Ndërkohë, Vllaznia e Josës nuk arrin të krijojë vazhdimësi në rezultate, teksa pas dy fitores radhazi ndaj Kukësit e Tiranës, vjen një disfatë zhgënjyese në transfertën ndaj Egnatias në Rrogozhinë.

Ashtu si sezonin e kaluar në fazën e fundit, shkodranët u mposhtën me rezultatin e thellë 3-0, në një sfidë tërësisht zhgënjyese nga ana e të besuarve të Mirel Josës.

Emiliano Musta ishte protagonist absolut i rrogozhinasve, pasi në minutën e 22-të bëri një shpërthim spektakolar në krahun e majtë, duke kaluar disa kundërshtarë dhe shërbyer më pas për Delarge, që e pati të lehtë të dërgojë topin në rrjetën e Zogovic.

Vetëm dy minuta më vonë, Juric gabon në pasim dhe Egnatia del në një tjetër kundërsulm, aty ku Zogovic ndal fillimisht Jackson, por më pas topi shkon te Musta, që këtë herë e dërgon vetë në rrjetë, duke dyfishuar shifrat.

Josa provon të reagojë në pjesën e dytë, duke bërë disa zëvendësime, por nuk ka shkëndija, ndërsa në të 57-ën, Egnatia shënon edhe golin e tretë me Camajn, i cili përfitoi nga përgjumja e dyshes Juriç-Gurishta dhe dërgoi topin në rrjetë.

Kjo është humbja e dytë në katër javë për shkodranët, që treguan edhe njëherë se janë skuadër e brishtë dhe larg pritshmërive, ndërsa Egnatia merr fitoren e dytë radhazi dhe ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 6 pikë.