Rama e Balluku nuk ndalin tenderat për Zoton në arrati, AKUM paguan 300 mijë euro për landfillin e Vlorës

Kompania kryesore e Klodian Zotos, “Integrated Technology Service”, ka marrë sërish mbi 300 mijë euro për ndërtimin e landfillit të Vlorës, ndërkohë që pronari i saj vijon të jetë në arrati.

Pagesa në fakt është kryer në mesin e Korrikut 2022, por është raportuar me shumë vonesë në faqen Ministrisë së Financave, për shkak të problemeve që kishin bazat e të dhënave qeveritare gjatë verës.

Në 25 Korrik, Agjencia Kombëtare e Mbetjeve, AKUM, ka dorëzuar dy pagesa në llogarinë e kompanisë së Zotos, me vlerë totale 360 milionë lekë të vjetra, si pjesë e pagesave rutinore për ndërtimin e veprës publike.

Kompania “Integrated Technology Service” ishte fituese e një tenderi me vlerë rreth 10 milionë euro për ndërtimin e landfillit të mbetjeve në Sherishtë të Vlorës.

Qeveria nuk ka bërë asnjëherë publike procedurat e këtij tenderi dhe cilët ishin pjesëmarrësit.

Rezultati i tenderit u mësua vetëm pas një publikimi në qershor 2020, në faqen zyrtare të Bankës Gjermane, KFV, e cila ka nënshkruar marrëveshje huaje me qeverinë shqiptare për këtë investim.

Në atë njoftim thuhej që fitues ishte kompania e Zotos, në bashkëpunim me një shoqëri italiane. Por, edhe aty nuk gjendeshin detaje të mëtejshme.

Kompania mëmë e Klodian Zotos menaxhohet nga një administrator publik prej Dhjetorit të vitit 2021, kur pronari i saj u shpall në kërkim nga Prokuroria Speciale, SPAK, për aferën qindra milionë euro të landfillëve.

Megjithatë, gjatë 9 muajve të vitit 2022, kompanitë e Zotos, të përfshira drejtëpërdrejtë në landfillin e Vlorës dhe të Fierit, kanë vijuar të përfitojnë euro nga qeveria.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, kanë deklaruar se nuk do të ndërpresin pagesën për Klodian Zoton dhe rrjetin e tij të biznesmenëve, pavarësisht se ata janë në arrati dhe dyshohen për skemë gjigande pastrimi parash nga fondet publike.