Nuk ka më dyshime, Bologna konfirmon pasuesin e Mihajlovic në krye të pankinës

Pasi ka zyrtarizuar ndarjen nga Sinisha Mihajlovic, Bologna shikon nga e ardhmja dhe merret menjëherë me çështjen e stolit. Thiago Motta do të jetë tekniku i ri kuqeblu, i thirrur për t’i dhënë një kthesë fillimit të komplikuar të sezonit.

Për ta konfirmuar këtë ka menduar drejtori menaxhues bolonjez, Claudio Fenucci: “Doja t’ju thoja se trajneri i ekipit të parë nga e hëna e tutje do të jetë Thiago Motta. Jemi duke përcaktuar aspektet përfundimtare kontraktuale, por tani mund t’i jap statusin zyrtar marrëveshjes”.

Bolonjezët deri më tani kanë grumbulluar vetëm dy pikë në pesë ndeshjet e para të sezonit. Një start i ngadaltë që i shtyu drejtuesit të ndryshonin udhëheqjen e tyre teknike.

Pas një vlerësimi të kujdesshëm, brenda të cilit kishte bërë rrugën e saj edhe hipoteza e Claudio Ranieri, bordi emilian vendosi të fokusohej fuqishëm në një profil në zhvillim, por tashmë me një përvojë të caktuar në Serie A.

Thiago Motta nuk do të jetë në stol të dielën kundër Fiorentinës. Në krye të skuadrës kundër vjollcëve do të jetë dyshja Luca Vigiani-Paolo Magnani, të dy me licencë UEFA A, përkatësisht trajner i të rinjve dhe ish-trajneri i ekipit U-18.

Ish-trajneri i Spezia do të ketë një javë punë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen ndaj Empolit, provimin e fundit para ndalesës së rezervuar për angazhimet e kombëtareve. Thiago Motta rikthehet në Serie A, stoli i Bologna po e pret.