Sulmi kibernetik, eksperti: Hakerat ndërhynë 14 muaj më parë, mund të kenë ndryshuar të dhënat...

Eksperti i IT, Gentian Progni, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv sulmin kibernetik të iranianëve në Shqipëri dhe raportin e Microsoft për këtë rast. Progni deklaroi se raporti i Mircrosoft është mjaft i detajuar dhe ka treguar sa serioz dhe i madh ka qenë sulmi.

"Ajo që kemi thënë në fillim, Irani ka sulmuar në të njëjtën mënyrë dhe shtete të tjera, do të thotë se sistemet tona kanë qenë seriozisht të sulmuara dhe në një masë shumë shumë eksperte, sidomos, dhe shumë të gjatë. Penetruan në maj të 2021, diku tek 14 muaj më parë.

Mënyra, virusi që përdorën, apo mënyra si u futën është në mënyrë shumë eksperte. Synimi ka qenë i qartë, me metoda të avashta, kanë arritur të depërtojnë në sisteme të tjera hap pas hapi. Të mirëmenduara. Kjo ka bërë që institucioni të mos kuptojë gjë dhe mos të kapi në kohë sulmin."-tha Progni.

Sa i përket sistemit tonë mbrojtës, Progni tregoi se metoda e përdorur nga hakerat është efikase në sisteme edhe më të sigurta.

"Metodë kamuflimi shumë e madhe, virusohet një server, të metat, jam dakord që s'është bërë update serveri, nuk e di çfarë funksioni ka pasur administrata.al, edhe sot është ofline, ndoshta faqe test pa rëndësi që është lënë pa update, e meta kryesore.

Penetrimi nga aty në afat 14 mujor, kohë e gjatë. Një nga metodat efikase në çdo shtet të botës. Këto viruse, ky sulm është i vështirë të identifikohet."-deklaroi eksperti Progni.

Më tej, eksperti i IT tha se detyrat s'janë bërë siç duhet në sistemin tonë, ndërsa shtoi se në këtë afat kaq të gjatë, nuk kuptohet si hakerat kanë marrë akses nga një server te një tjetër. Ai ngriti shqetësimin se nuk dihet nëse kemi vetëm fshirje apo edhe ndërhyrje në informacione.

"Nëse ne depërtojmë në një databazë, mund t'i ndryshojmë pronësinë një personi, për një aset, kodin 8 shifror të dokumentave, nëse janë bërë këto, situata është më delikate."-u shpreh Progni.

Eksperti Gentian Progni tha se institucionet shtetërore duhet të japin një relacion mbi sulmin kibernetik.

“Presim të kemi një informacion. Mendoj se duhet të bëhemi bashkë. Rasti konkret, ka sulm kibernetik në Kosovë, ndryshe nga këtu, institucionet kanë thirrur ekspertët që të japin opinione, ekspertizën e tyre për të parandaluar dhe për të mësuar për të nesërmen. Kanë ndodhur gabime e probleme, por duhet të mblidhemi, duhet të kemi sistemin gati për në të ardhmen.”-deklaroi Progni.