EMRI+FOTO/ 'Përmbyti' Europën me kokainë - Kush është 'Tyson', shqiptari që u kap në Peru

Operacioni antidrogë “Poseidon” që është zhvilluar dy ditë më parë nga autoritetet në Peru, në bashkëpunim me DEA-n amerikane, Guardia Di Finanza italiane dhe policinë gjermane duket të jetë më i madh në përmasa sesa ishte raportuar fillimisht.

Mediat vendase kanë zbardhur detaje të reja nga goditja që iu bë linjës së trafikut ndërkombëtar të kokainës Peru-Europë, ku në rrjetë ra edhe 28-vjeçari shqiptar, i cilësuar si një nga krerët e grupit, Kadri Gjoci.

Ai u arrestua së bashku me biznesmenin italian Pasquale Bifulco, 49 vjeç, i cili është një nga eksponentët kryesor të ‘Ndrangheta’s kalabreze dhe që i përket bandës mafioze Ietto-Cua-Pipicella.

Në detajet e reja që janë publikuar, rezulton se emri i sakti i shqiptarit të vënë në pranga është Kadri Gjoci, me vendlindje të regjistruar në Rrëshen.

Mediat peruane theksojnë se ju dha një goditje e rëndë mafiozëve italianë dhe shqiptarë të drogës, duke sekuestruar afro 3 ton kokainë që në Evropë supozohet të kapë vlerën e mbi 133 milionë dollarëve.

I riu shqiptar dhe miku i tij italian kishin marrë përsipër të dërgonin drogën në Europë, përmes portit të Callaos dhe ata njiheshin edhe me pseudonimet ‘Spaghetti’ italian dhe shqiptari ‘Gianmarco’, ndërkohë që në rrjetën e hetuesve përfunduan edhe pesë peruan dhe një turko-gjerman.

Mësohet se kalimi drogës bëhej përmes kompanive që eksportojnë kafe dhe asparagus si lëndë të parë, ndërsa karteli shqiptaro-italian e ktheu Limën në qendrën e koordinimit dhe ruajtjes së kokainës që vinte nga Vraem.