Diplomatët iranianë dogjën dokumentet/ Dëshmitari: Dikush hodhi letra në një fuçi të ndryshkur...

Media prestigjioze Reuters i ka kushtuar vëmendje vendimit të qeverisë shqiptarë për ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin. Në një artikull të publikuar, Reuters sjell edhe deklaratën e një dëshmitari, që ka folur rreth djegies së dokumenteve pas ultimatumit për t’u larguar nga Shqipëria.

“Diplomatët iranianë dogjën dokumentet në orët e para të mëngjesit të enjtes, disa orë përpara se të largoheshin nga vendi pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke akuzuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në korrik”, raporton Reuters.

Një dëshmitar tha për Reuters se ka parë “një burrë brenda ambasadës duke hedhur letra në një fuçi të ndryshkur dhe flakët ndriçonin muret e ambasadës trekatëshe”.

Uashingtoni, aleati më i afërt i Shqipërisë, fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin dhe premtoi “të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA”.

Teherani ka dënuar vendimin e Tiranës për të ndërprerë marrëdhëniet e saj diplomatike duke i quajtur si “pretendime të pabaza”, shkruan media prestigjioze.

Shqipëria dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që kur Shqipëria pranoi rreth 3000 anëtarë të grupit opozitar në mërgim Organizata e Muxhahidëve Popullor të Iranit, e njohur edhe me emrin e saj farsi Mujahideen-e-Khalq, të cilët janë vendosur në një kamp pranë Durrësit.