Njësia e Anti-terrorit dhe RENEA zbarkojnë tek ambasada e Iranit

Forcat e Anti-terrorit janë futur në ambientet e ambasadës së Iranit pas përfundimit të afatit 24-orësh për të dorëzuar godinën në një rrugicë pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë.

Ambasadës iraniane iu la afat për t’u larguar nga vendi nga ana e qeverisë shqiptare një ditë më parë.

Kjo pasi nga verifikimet e kryera rezulton se Irani është shteti që qëndron pas sulmit kibernetik ndaj faqeve qeveritare në vendin tonë më muajin korrik.

Dyshohet se stafi ka refuzuar që të dorëzojë në mënyrë diplomatike ish-godinën ku qëndronin. Gjendur në këtë situatë Anti-terrori, RENEA dhe njësia Anti-eksploziv do kontrollojnë godinën ku ishte ambasada e Iranit.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, stafi i ambasadës së Iranit, dyshohet se ka djegur shumë dokumente konfidenciale për të mos lënë gjurmë të dyshimta pas.

Mbi 70 persona punonin në këtë institucion. Së shpejti pritet që nga aty të hiqen të gjitha simbolet e shtetit të Iranit.