Vrasja e vogëlushes nga polici me skaf në Potam, Policia e Shtetit do ketë njësinë speciale të quajtur 'JONADA'

Policia e Shtetit do të ketë një njësi speciale të re, të quajtur “JONADA”. Kjo njësi do të bëjë monitorimin me dron, por edhe nga uji dhe toka të plazheve të Shqipërisë, duke nisur nga vera e vitit të ardhshëm, për të bërë të mundur shmangien e tragjedive të tilla, siç është ajo e Jonada Avdisë në plazhin e Potamit e cila u vra me skaf nga polici Arjan Tase.

“I kam kërkuar ministrit të krijojmë një njësi speciale policore që do ta quajmë “Jonada” dhe do të jetë vitin e ardhshëm aktive në monitorimin e plazhit nga uji, toka dhe ajri, me drone dhe mjete të motorizuara.

Duke mos ju rënë në qafë për inerci të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë nëpërmjet ujërave territoriale dhe s’kanë asnjë arsye për të parë policë me sy, për sa kohë nuk kërcënojnë asgjë.

Këto halle me mjetet në ujë dhe aksidentet në ujë e kanë dhe vendet që kanë shumë vite eksperiencë në kurriz. Por dua të ngre një pyetje që mendoj se është shumë e rëndësishme. Në cilin vend zhvillimi nuk ka sjellë edhe aksidente”, tha Rama në konferencën për mediat nga Ministria e Brendshme.