Qeveria: Muhamet Rrumbullaku në krye të Policisë së Shtetit

Këshilli i Ministrave emëroi sot drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun.

Lajmin e bëri me dije ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Zoti Rrumbullaku është oficer karriere i lartë në Policinë e Shtetit, që ka mbajtur e kryer shumë detyra në gjithë piramidën e Policisë së Shtetit. I vlerësuar në çdo pozicion që ka qenë, dhe i vlerësuar gjithashtu dhe së fundmi në pozicionin që ka mbajtur deri javën e kaluar, atë të drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Është drejtori që reformoi agjencinë, që është kthyer në agjenci civile, dhe rezultatet e reformës kanë filluar të ndihen ndërkohë. Zoti Rrumbullaku mban gradën e ‘Drejtuesit të Parë’ në piramidën e Policisë së Shtetit dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”, tha ministri Çuçi.

Rrumbullaku, 56 vjeç, ka lindur në Tiranë dhe është diplomuar “Specialist i Lartë Policie” në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë së Tiranës dhe në vitin 2010 ka marrë titullin 'Jurist'.

Prej 2019-s ai qëndroi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Edhe pasi ky institucion u kthye në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Rrumbullaku vijoi të qëndronte në krye të tij.

Më 2 shtator, ai u zëvendësua në detyrën e kreut të AMP-së nga ish-drejtori i Policisë, Ardi Veliu.