Bannon: Më përndjekin prokurorët e Soros, po politizohet drejtësia

Steve Bannon pritet të dorëzohet pranë autoriteteve në SHBA të enjten për t’u përballur me akuzat ndaj tij. Ai akuzohet se ka mashtruar disa donatorë, që i kanë dhënë fonde për të ndërtuar një mur në kufirin jugor të SHBA.Ai akuzohet se ka marrë ilegalisht më shumë se 1 milion dollarë.

Bannon, një ish-këshilltar i lartë i presidentit Donald Trump, tha se po përndiqet nga prokurorët e Sorosit.

“Prokurorët e mbështetur nga Soros tani kanë vendosur të ndjekin disa akuza të rreme ndaj meje, 60 ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit, sepse programi im është burimi kryesor i lëvizjes MAGA,” thuhet në një deklaratë të Bannon, të siguruar nga Fox News.

“Kjo nuk është asgjë tjetër veçse politizim partizan i sistemit të drejtësisë penale”.

Ai tha se ishte krenar që ishte një zë udhëheqës në mbrojtjen e kufirit dhe bëri një paralajmërim.

“Ata po vijnë pas të gjithëve, jo vetëm pas presidentit Trump dhe pas meje. Unë kurrë nuk do të ndaloj së luftuari. Në fakt, nuk e kam filluar ende luftën. Ata fillimisht duhet të më vrasin”.