Berisha: Kjo seancë as pagane nuk ishte, asnjë nen apo ligj për të ndihmuar qytetarët shqiptarë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në nisje të sesionit të ri parlamentar se seanca e sotme as pagane nuk ishte, ndërsa shtoi se s’kishte asnjë nen apo ligj për të ndihmuar shqiptarët në këto kohë krize.

“Edi Rama thirri parlamentin në ditën e nderimit të Shën Terezës, ditë e cila inspiron më shumë se çdo gjë tjetër, mëshirë, dhembshuri dhe ndjeshmëri ndaj atyre që janë në vuajtje dhe nevojë.

Unë mund të ju them se sot kjo seancë, të thuash që ishte pagane, i turpëron paganët. Në një listë të gjatë ligjesh dhe vendimesh, nuk kishte absolutisht asnjë rresh të vetëm, nen apo vendim të vetëm për qytetarin shqiptar.

Rikujtoj se vetëm dy ditë më parë, jo qeveria gjermane e cila dha 45 miliardë euro për qytetarët e saj, nuk e marr këtë shembull, por qeveria e Kosovës akordoi për qytetarët e saj 100 euro për çdo pensionist. Akordoi 100 euro për çdo student, 100 euro për çdo punonjës të ndërmarrjeve publike. 50 euro për çdo punonjës të administratës publike dhe dyfishoi fiks ndihmën ekonomike. E tëra kjo për të përballuar çmimet që sot në Kosovë, duke filluar nga nafta dhe të gjitha produktet bazë janë 30% më të ulëta se në Shqipëri.

Kurse ky parlament nuk ka asnjë vendim asnjë nen, ligj, për të mbështetur qytetarët shqiptarë në nevojë, në këtë periudhë që po vidhen në mënyrë të tmerrshme, duke shfrytëzuar edhe rritjen e çmimeve me bordet komuniste të Edi Ramës.”-tha Berisha.