Manjani: Opozita në betejë me monizmin e Ramës! Parlamenti mund të bëjë gjëma që s’i ka bërë as Enver Hoxha

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv sesionin e ri parlamentar, sezonin e ri politik me një opozitë në aksion dhe sulmet e mazhorancës.

Manjani deklaroi se nga pikëpamja politike, po përjetojmë një pushtet i cili gjithnjë e më shumë po vetëizolohet dhe po konfirmon se monizmi është filozofia politike e qeverisë.

"Ka kapur çdo gjë, ka çdo gjë në dorë pa përjashtim nga njëra anë, dhe nga ana tjetër kemi një opozitë që po përpiqet të fitojë gjithnjë e më shumë terren në zemrën dhe besimin e popullit. Opozita në një betejë të paprecedentë, betejë më e rëndë se me monizmin e Ramiz Alisë.

Opozita në një betejë edhe me veten e vet, me disa eksponentë që bëjnë rolin e gjakprishurit, apo dëmtimit të opozitës. Kjo situatë imponon përplasje të ndryshme, përplasja është evidente."-tha Manjani.

Për sesionin e ri parlamentar, Manjani tha se Parlamenti është monist dhe synon të bëhet edhe më monist se çështë, ndërsa shtoi se ky parlament që kemi sot mund të bëjë gjëma që s’i ka bërë as ai i Enver Hoxhës.

Do shpresoja që ky parlament të mund të kontrollohej, ose të vetëkontrollonte dëshirën për të sunduar çdo gjë, dëshirën për të sundur edhe Kushtetutën e vendit. Ky parlament mund të bëjë gjëma që s’i ka bërë as ai i Enver Hoxhës.”-tha Manjani.

Më tej Manjani deklaroi se opozita duhet të ndalojë garën e protagonizmit dhe të mbajë frymën e protestave pasi shoqëria ka nevojë të reagojë dhe të përgatiten për zgjedhjet.

"Nuk mund të nxitojmë kush thotë i pari fjalën më të madhe të mundshme. Nuk është garë me njëri-tjetrin kush flet më bukur apo më ashpër. Shqipëria është në rrezik demokratik. Duhet shpëtuar pluralizmi dhe të ruhet fryma e shoqërisë, fryma e protestës në shoqëri, sepse shoqëria ka nevojë të reagojë dhe më e rëndësishmja opozita duhet të përgatitet për zgjedhjet."-deklaroi Manjani.