Greva s'ndalet, Haradinaj i thërret Kurtit: Kryeministër, dil nga rrethimi! Investo, ndërto, jep!

Prishtinë - Pavarësisht nga thirrjet dhe paralajmërit e qeverisë së Albin Kurtit, në Kosovë as sot nuk do të fillojë viti i ri shkollor 2022-23 si pasojë e grevës e cila ka filluar që nga data 25 gusht.

Drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kanë njoftuar se greva nuk do të ndërpritet deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria. Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria.

Kësaj vendosmërie nga punonjësit e institucioneve shtetërore i ka dalë në krah, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, i cili i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë, Albin Kurtit:

“Kryeministër, dil nga rrethimi! Rriti pagat me lig. Investo në gazsjellës. Ndërto një termocentral me qymyr. Kthe investimet kapitale duke rrit vlerën e kontratave në bazë të rritjes së kostos. Jepi subvencionet për bujqësi menjëherë. Fto biznesmenët e Kosovës dhe ata shqiptarë kudo që jetojnë për investim të përbashkët. Ktheje shpresën se e ke mundësinë”, ka theksuar në fund, Haradinaj.