VIDEO/ Ilir Meta nga 'Kafe Shqeto', mesazh Ramës, 'selam' Bashës: Koha e opozitës së blerë ka përfunduar!

"Mjafton t’i çoj një mesazh Edi Ramës për t’u çuar “selam” të gjithëve: Koha e opozitës së blerë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë!  Ai e ka zgjedhur vetë të shkojë në fund të humnerës, rruga e mbarë i qoftë!"

Ish-Presidenti Ilir Meta ka qënë i ftuari i parë  që ka çelur sot sezonin e ri të emisionit “Kafe Shqeto”, pasi ai është bërë kryefjala e kësaj vjeshte politike e aksionit opozitar të vendit.

Në emër të Partisë së Lirisë që ai drejton tashmë , Meta sot në këtë emision, i pyetur nga moderatori Flavio Qarri, garantoi për rezistencë ballore dhe protesta pikërisht në vendet ku kanë ndodhur aferat korruptive.

Flavio: Zoti Meta, a jeni gati për në shtator apo po i rishikoni planet tuaja?

Ilir Meta: Jo, jo. Që në 25 korrik e kam axhendën time të shtatorit. Nuk kam pasur asnjë ditë pushim dhe jam shumë i qartë në zhbllokimin e kësaj situate të jetës institucioale, demokratike, ekonomike në vend.

Flavio: Shumë qytetarë kanë pritur që z. Rama të kishte një reagim të zakonshëm ndaj ofensivës politike, tuajën dhe të z. Berisha, por duket se ka ndjekur një kurs tjetër veprimi. Nuk ka reaguar me propagandë, por ka reaguar me “non gratat” apo “dosje”, etiketimet si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit etj.  Pse ky reagim i z. Rama, sipas jush?!

Ilir Meta: Është një dëshpërim i thellë i tij sepse prej gati një viti e ka humbur kontrollin e plotë të opozitës dhe siç nuk i kanë funksionuar “non gratat”, sigurisht që nuk ka si t’i funksionojë ky karagjozllëku më i fundit, që tregon degradimin e këtij regjimi të korruptuar në palcë, por që edhe shpreson të mbijetojë me metodat më të ulëta të Sigurimit të Shtetit, duke përdhosur në mënyrë kaq mjerane, edhe institucionet gjoja të pavarura si Autoriteti i Dosjeve apo të drejtësisë gjoja të pavarur.

Për sa i takon kësaj "shakasë", besoj se është sqaruar në mënyrën më të qartë dhe më të kristaltë nga vetë personi i ndjekur për tentativë arratisjeje nga ish- Sigurimi i Shtetit, që gjithashtu pasi është njohur me dosjen, i ka bërë kërkesën e tij zyrtare Autoritetit të Dosjeve që më tre gusht, për ta korrigjuar dosjen dhe hequr të gjitha manipulimet dhe falsifikimet që janë shumë evidente dhe ka bërë të qartë se cili është IM…Gjithçka është një falsifikim, mashtrim, tymnajë dhe kjo është arsyeja pse unë kam ndjekur rrugën e prokurorisë për të ndjekur individualisht të 6 anëtarët e Autoritetit të Dosjeve dhe ky është një proces që do të keni rast ta ndiqni ndaj këtij regjimi të pashpresë.

Flavio: Z. Meta, ju keni thënë se Rama gënjente edhe për orën, por duket sikur ka një formësim të frontit Rama-Basha?

Ilir Meta: Po Rama e ka bërë korruptimin e Bashës dhe opozita nuk ka dashur ta pranojë këtë. E padyshimtë që axhenda e Bashës dhe e Ramës është e përbashkët sikurse ajo e Ramës është e Beogradit. Por padyshim që do të ketë një ballafaqim të plotë, frontal. Regjimin po e lënë nervat.

Flavio: Ka pasur fjalë z. Meta, se shtatori është afati i fundit i Ramës. Madje është folur për nëj qeveri tranzicioni? Cili mendoni se do të jetë fundi i Ramës, me ç’forma?

Ilir Meta: Mendoj se format do të jenë të gjithanshme, rezistencë ballore dhe PL shumë shpejt do të fillojë protetesta e saj për aferat korruptive atje ku kanë ndodhur dhe shumë shpejt do t’i ftojë dhe qytetarët.

Flavio: Edhe tri fjalitë të fundit, një mesazh Lulzim Bashës, që do t’ia çonit në celular - një mesazh Edi Ramës dhe çfarë do të kemi këtë shtator?

Ilir Meta: Mjafton t’i çoj një mesazh Edi Ramës për t’u çuar “selam” të gjithëve: Koha e opozitës së blerë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë!  Ai e ka zgjedhur vetë të shkojë në fund të humnerës, rruga e mbarë i qoftë sepse askush nuk mund të ndalohet qoftë në zgjedhjet që bën me dëshirë apo të detyruara nga rrethanat dhe pengmarrja ku ndodhet. Shqipëria nuk do të ketë fatin e  tij e do ta marrë veten shumë shpejt e do të ketë një fat krejt tjetër.

Shtatori do të jetë ai që unë kam premtuar me një intensitet të Partisë së Lirisë dhe të të gjithë qytetarëve.

Ndiqni intervistën e plotë në video.