Shkatërrimi me aq arrogancë i 'Prestige', për represion dhe nënshtrim!

Deputeti Tritan Shehu i ka vënë emrin mesazhit, që Qeveria i ka dërguar sot administratorit të medieve të mirënjohura në Shqipëri duke i shkatërruar pronën në Golem në sytë e qindra turistëve në mesin e sezonit turistik: Represion, nënshtrim!

Shehu, me indinjatën që iu mblodh për atë që po ndodh sot në Golem, në “Prestige resort”, komentoi:

Dhe pastaj flasim për turizëm “elitar”!!! Nuk është fjala thjesht për dëmin ekonomik. Këtu, dhe dëmtimi i imazhit është i pallogaritshëm.

Pa u futur në diskutime administrative, në të gjithë botën e civilizuar e demokratike gjenden ekuilibra dhe rrugëzgjidhje të tjera në raste të tilla.

Askush nuk dërgon makineritë shkatërruese me aq arrogancë e pompozitet dhe në kulmin e sezonit turistik kjo, një mesazh ky krejt ndryshe nga sa ka nevojë Shqipëria të dërgojë.

Shumë i largët për një shoqëri të qytetëruar e vizionare. Një mesazh që i shkon për shtat vetëm autokracive lindore! Një demonstrim që në fakt transmeton një psikologji e metodikë për represion e nënshtrim”, ka shpjeguar ai.