Akuza/ Berisha: Pas zhdukjes së Ervis Martinit, Olsi Rama bëhet mbreti i basteve të Shqipërisë

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se bixhozxhiu më i madh i Shqipërisë dhe Ballkanit është Olsi Rama.

“Kjo e call-center dhe implikimi i Olsi Ramës është bërë publike. Nuk është një gjë e re. Këtë e sollën autoritetet gjermane. Tani, Edi Rama, dyshon se Gledis Nano lehtësoi hetimin gjerman apo nxori sekretin, këtë nuk e di. E vërteta është se bixhozxhiu më i madh i Shqipërisë dhe Ballkanit është Olsi Rama dhe për pasojë familja Rama. Kjo nuk është sekret. Kjo është gjithçka".

“Dy persona kanë qenë të njohur në industrinë e basteve, Ervis Martini. Ai, askush nuk merr vesh të vërtetën, por e vërteta është se fill pas zhdukjes, eliminimit apo largimit të tij, bastet u rikthyen për t’i marrë Olsi Rama. Ai ka qenë njeriu në hije i basteve. Këto nuk janë pa lidhje me njëra-tjetrën. Prandaj lëvizjet e fundit të Ramës janë grusht shteti i pjesshëm. Ato janë institucione shumë të rëndësishme, policia, SHISH apo pastrimi i parave. Sot mbreti i basteve bëhet Olsi Rama legalisht. Unë nuk jam për industrinë e mëkateve dhe bixhozit, jam penduar që janë lejuar gjatë qeverisjes sime dhe nuk do lejohen, sepse janë burim fatkeqësish. Tani ky i legalizon, ky që nuk tha gjë për to. Masivisht thuhet se vëllai i tij është mbrapa,” tha Berisha.

“Kurse ministri i familjes, kur u akuzua si president i shoqatës së skafistëve, tha se merrem me vela. Por doli që shoqata e tij transportonte drogë në Itali dhe 2.2 ton, sasi kolosale. Të gjithë përfolën ministrin. Sepse ishte presidenti i velistëve. Kishte të dhëna të tjera në mesazhe, por të paverifikuara. Por kjo është evidente. Çfarë do ministri në një shoqatë që transporton drogë? A nuk përbën kjo imunitet për atë shoqatë? Ministri është i familjes”.

“Nuk kam ndonjë respekt për Gledis Nanon se u zgjodh mbi kritere politike, por largimi i tij ishte politik, se u shkeli në kallo. Thuhet se largimi i tij ka lidhje me kontejnerin që u la pesë javë në port derisa u vodh e gjithë kokaina. Kjo e tërboi Edi Ramën. Thuhet se ky takoi Jetmir Latën, i cili ndër të tjera i tha se Ardi Veliu paguhej 30 mijë euro në muaj nga Ervis Martini. E sigurt është që fillimi është brenda familjes Rama. Atë nuk mund ta hiqte asnjë njeri tjetër përveç kryeministrit. Ministri nuk e heq dot. Kështu ky u hoq për afera të Edi Ramës. Po pse, për Ardi Veliun e hoqi ai? E ka hequr për veten e tij, për familjen e tij,” tha Berisha.