Koreja e Veriut nuk do as ta njohë, mbikqyrësen e OKB: Kukull e SHBA

Koreja e Veriut e quajti eksperten më të lartë të OKB-së mbi të drejtat e njeriut në Veri, "një kukull" të Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar të premten se nuk do të tolerojë një komplot të udhëhequr nga Amerika që përdor çështjen e të drejtave për të përmbysur sistemin e saj politik.

Koreja e Veriut është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj çdo kritike nga jashtë për të drejtat e saj, duke e parë si një përpjekje për të përgojuar dhe tronditur sundimin e saj autoritar mbi 26 milionë banorët e saj, shumica e të cilëve kanë pak akses në lajmet e huaja.

Reagimi i saj i fundit erdhi kur Elizabeth Salmón, raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut, po bën vizitën e parë në Korenë e Jugut këtë javë për të takuar zyrtarë, aktivistë dhe dezertorë koreano-veriorë, hera e para kjo që nga emërimi i saj muajin e kaluar.

Në deklaratën e saj inauguruese, Salmón tha se koreano-veriorët përballen me "vështirësi të reja dhe më serioze" për shkak të frenimeve të rënda të lidhura me pandeminë që shtuan abuzimet prej dekadash, të cilat ajo tha se nuk duhet të neglizhohen. Ajo tha se ishte e bindur se solidariteti ndërkombëtar duhet të mblidhet më me vendosmëri për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut.

Të premten, një zëdhënës i paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut lëshoi një deklaratë duke e goditur raportuesen e OKB-së pa përmendur drejtpërdrejt emrin e saj.

Në deklaratë, Salmon akuzohej për shfaqje të "injorancës dhe vizionit të njëanshëm". Ajo kritikohej për "vërejtjet e pamatura të pafalshme që cenojnë sistemin tonë të paprekshëm dhe të drejtat sovrane".

Deklarata akuzonte gjithashtu Uashingtonin se fshihej pas Salmonit, duke thënë: "Ne e dimë mirë se SHBA-ja i shtrin thellësisht tentakulat e saj mbi kurrizin e saj".

"Dallaveret “e të drejtave të njeriut” të SHBA-së dhe forcave të tjera armiqësore nuk kanë të bëjë fare me garantimin e të drejtave të vërteta të njeriut dhe nuk janë gjë tjetër veçse mjeti armiqësor më i politizuar për të njollosur imazhin dinjitoz të Koresë së Veriut”, thuhet në deklaratë.

"Koreja e Veriut kurrë nuk do të falë SHBA-në dhe forcat e saj vasale të "të drejtave të njeriut"... ç’ka synon të përmbysë sistemin e saj shoqëror."

Ministria e Koresë së Veriut përsëriti një qëndrim të mëparshëm se kurrë nuk do të njohë apo merret me ndonjë raportues special të OKB-së për të drejtat e njeriut.

Paraardhësve të Salmonit iu ishte refuzuar hyrja në Korenë e Veriut,  refuzim për të cilin vëzhguesit thonë se ka sfiduar përpjekjet nga jashtë për të mbledhur informacione më të pavarura dhe të besueshme mbi abuzimet me të drejtat e njeriut.