VIDEO/ Keqtrajtoi qenin, Cllevio Serbiano nën hetim nga policia

Kleviol Ahmeti, i njohur në rrjete sociale si Cllevio Serbiano është vënë nën hetim nga policia pasi u shfaq në banesë duke keqtrajtuar qenin e tij. Në një video të xhiruar nga vetë ai duket se si godet vazhdimisht kafshën shtëpiake.

Nga pamjet duket se është acaruar me qenin që po luan me një bidon plastik, gjë që duket se nuk i pëlqen ndaj e trajton në mënyrë skandaloze pasi e kap me forcë nga koka dhe më pas i gjuan me shqelma. Ndërsa qeni i frikësuar largohet me vrap.

“Unë them do të thyj në mes, ti vazhdon. Hjade këtu, a je gango ti. Hajde këtu, ku vete tani. Nga gango na u bëre lango. Hajde pra. Apo do ikësh me vrap lart. Mos e ha bidonin. Ti do hash bidonin rri tani aty. Kështu e meriton ti të rrish. Më shiko njëherë. Si do ia bëjmë. Do më dëgjosh mua apo do të bësh me kokën tënde. Dëgjo këtu, pse u fute këtu. Shiko njëherë. Hip sipër në shtëpi. Nuk po kupton ti akoma. Unë them hip sipër”, i thotë Cllevio.

Aktualisht, 36-vjeçari Kleviol Ahmeti është në arrest shtëpie për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të ftohta". Kohët e fundit, Cllevio është në qendër të vëmendjes pas konfliktit me Noizyn para lokalit të këtij të fundit në Durrës. Kur u përplas me Noizyn, Kleviol Ahmeti duhej të ishte në shtëpi, pasi Gjykata e Lushnjes kishte caktuar ndaj tij masë arresti shtëpiak për posedim të lëndëve narkotike dhe armë të ftohta pa leje.

Video teksa Noizy grushtonte të riun përpara lokalit të tij në zonën e Currilave, u publikua në rrjetet sociale, dhe policia pasi arrestoi Cllevion, vuri në hetim në gjendje të lirë reperin Rigels Rajku dhe të atin. Sipas asaj që ka shkruar Noizy në Instagram, gjithçka ndodhi pasi Cllevio me emrin e vërtetë, Kleviol Ahmeti, i ofendoi familjarët.