Krimi në Himarë/ Meta: Minimumi, ministrat përgjegjës dhe kryetari i bashkisë duhet të ishin shkarkuar nga Kryeministri!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shkuar për ngushëllim sot në familjen e Bledar Avdiajt në Laprakë, vajza e vogël e të cilit, Jonada, u vra nga një skaf dy ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë.

Në një deklaratë për mediat lidhur me përgjegjësitë, Ilir Meta tha se “minimumi, të gjithë ministrat përgjegjës  për zbatimin e vendimit të Qeverisë duhet të kishin dhënë dorëheqjen ose të ishin shkarkuar nga Kryeministri bashkë me kryetarin e Bashkisë ku ka ndodhur kjo ngjarje kaq e rëndë.”

"Gjyshi mezi kishte pritur të takonte mbesën... - tha Meta. - Është një rast i pangushëllueshëm, megjithëse jam i impresoniuar nga forca  e kësaj e familjeve fisnike, sepse ishte një tragjedi që nuk ka asnjë lloj justifikimi, jo vetëm nga autori i papërgjegjshëm që e panë të tërë, por edhe nga shteti, qeveria, bashkia, pasi ekziston një legjislacion për sigurinë në plazhe, që nuk është respektuar në asnjë element të tij.

Është vrasje e paralajmëruar, se kanë ndodhur raste të tilla edhe më përpara, sikur ndodhën plagosje që për fat të mirë nuk përfunduan me pasoja fatale të vdekjes dhe askush nuk e ka vënë ujin në zjarr.

Një papërgjegjshmëri totale! Dhe në momentin kur duhej të shprehet pendesa dhe marrja e vendimeve distancuese , në të njëjtin moment, na shpallet se Shqipëria na qenka e para sivjet në rajon për sigurinë e turizmin!

Nuk ka tallje më të madhe dhe fyerje për të gjithë popullin që nuk e ka përjetuar këtë tragjedi të familjes Avdia si një tragjedi të vetën!

Vendimi është dhe nuk është zbatuar, sepse këtu nuk zbatohet Kushtetuta, ligji, sepse ligjin e bëjnë të fortët dhe ajo pamja atje është pamja e shtetit brutal me qytetarët e thjeshtë dhe të pambrojtur që rrezikohen nga papërgjegjshmëria dhe brutaliteti i shtetit të tyre”

Lexo edhe: Meta: Që të kemi shtetin që mbron, të gjithë duhet të jenë sot në protestë!