Rriten kreditë e këqija, kriza e çmimeve ul aftësinë paguese për këstet

Kriza e çmimeve po redukton aftësinë paguese të kredive.

Për të dytin muaj rresht, Banka e Shqipërisë raportoi rritje të portofolit të kredive me probleme.

Në fund të majit huatë e këqija zinin 5.44% të totalit të kredisë së dhënë në ekonomi, duke u rritur me 0.02 pikë përqindje krahasuar me prillin dhe me 0.2 pikë përqindje më shumë se në mars.

Kreditë me probleme në dy muaj u rritën me 15 milionë euro.

Në total sistemi bankar shqiptar ka 316 milionë euro kredi që nuk paguhet në kohë.

Pavarësisht kësaj situate kredia për ekonominë është rritur.

Totali i huasë bankare arriti 5.8 miliardë euro në muajin maj, duke u rritur me 650 milionë euro krahasuar me një vit më parë.

Sipas projeksioneve të Bankës së Shqipërisë niveli i inflacionit pritet të rritet më tej gjatë vjeshtës, çka mund të verë në vështirësi aftësinë paguese të kredisë dhe ngadalësojë rritjen ekonomike.

Në qershor çmimet e mallrave të shportës u rritën me 7.4%, duke shënuar nivelin më të lartë të inflacionit në 2 dekadat e fundit.